Kur është koha për të pushuar një punonjës?

Shkencë & jetë

Kompania ime është e vogël dhe çdo pjesëtar i saj duket se është i nevojshëm. Si ta kuptoj që duhet të pushoj dikë? – Ben P., Florida

 

Nuk ka asgjë më të keqe se të duhet të pushosh nga puna një punonjës. Për shumë punëdhënës, nuk ka asgjë më të rëndësishme se pushimi nga puna i punonjësve që nuk përmbushim vizionin e tyre. Ky është një leksion që e kam mësuar gjithnjë me kalimin e kohës.

Një aksiomë e njohur thotë se ju duhet t’i punësoni punonjësit ngadalë dhe t’i hiqni nga puna shpejt. Në teori, kjo është diçka fantastike, por nuk është shumë praktike. Nëse punësoni në mënyrë të ngadaltë, ju mund të humbni punonjës potencialisht të çmuar (nëse janë kaq të aftë, edhe të tjerë do t’i duan), ndërsa pushimi nga puna i punonjësve në mënyrë të shpejtë mund ta shndërrojë kompaninë në diçka që njerëzit do ta shmangnin. Në vend të kësaj, qëllimi duhet të jetë njohja e parimeve të biznesit tuaj dhe vendosja e standardeve për të matur vlerën dhe qëllimin e çdo punonjësi – nëse keni një ose 100.

Por si matet vlera. Zbulojeni përpara se të punësoni (apo pushoni) dikë. Çdo kompani ka një mënyrë të ndryshme, por në rastin tim, kemi mësuar të vlerësojmë punonjësit në bazë të këtyre tre vlerave:

Vlera #1: Produktiviteti

Cili është kontributi i këtij punonjësi?

Një punonjës produktiv përmbush objektivat e vendosur nga punëdhënësi. Performanca minimale rrallë është e mjaftueshme. Kjo është arsyeja se pse shumë biznese të vogla mbyllen brenda tre vitesh. Qëndrimi se “Ja se çfarë duhet të bëni dhe kjo është e gjitha” e vë biznesin tuaj në korsinë e falimentit. Në vend të kësaj, jepuni punonjësve pritshmëritë bazë, falë të cilave biznesi juaj do të qëndrojë në treg, por bëjeni të qartë se kërkoni më shumë.

Vlera #2: Eficenca dhe aftësitë

Çfarë po bëjnë ata për të përmirësuar aktivitetin tuaj?

Rritja nuk varet gjithnjë nga ajo që bën një punonjës. Nëse punonjësit tuaj nuk po jua bëjnë jetën më të lehtë apo shtojnë aftësitë që më parë mungonin, atëherë ka ardhur momenti që të vini në diskutim qëllimin e tyre.

Vlera #3: Vlerat personale

A e bëjnë punën të bukur?

Vlera emocionale e një punonjësi është shumë e rëndësishme. Respekti, komunikimi dhe dhembshuria mund të mos shfaqen në fund të fundit, por bëjnë një ndryshim të madh në ndërveprimin dhe rritjen e brendshme dhe të jashtme. Nëse personaliteti i tyre nuk përcjell atë që ju dëshironi, kjo cenon biznesin tuaj.

Pra, kur është momenti për të pushuar dikë? Kur një punonjës nuk përmbush këto tre vlera. Madje, edhe nëse mungon vetëm njëra prej tyre, është shumë e rrezikshme që ta mbani atë në stafin tuaj. Dhe nëse të gjithë janë të kënaqur, është detyra juaj që ta rrisni atë në përgjegjësi për të arritur suksesin, të doni punën e tyre dhe të ndiheni të shpërblyer.

*Adam Bornstein, themelues i Pen Name Consulting
Burimi: Entrepreuner

Monitor

Share: