Arben Malaj: Palët kanë rënë dakord për zgjedhje të parakohshme

Aktualitet Kryesore Politikë

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj po shfaqet mjaft aktiv në opinionin publik ditët e fundit. Emri i tij u lakua nga kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu si kandidat i mundshëm për qeverinë tranzitore. Duke folur për A2 CNN, Malaj tha se nuk merret me supozime, por theksoi se në kohën e duhur do të përgjigjet.

Gjatë intervistës për Endri Xhafon, Malaj tha se vendi ka një nevojë për një qeveri tranzitore. Madje ai e cilëson atë si  “zgjidhja më të mirë të detyrueshme”.

“Një marrëveshje që nuk do të përfshinte një zgjidhje të tillë, mund të ndodhë,  por ajo do të jetë mbi gërmadhat e shpresave të vrara  të shqiptarëve”, tha Malaj.

Por skenari i qeverisë tranzitore për ekonomistin e njohur nuk është thjesht hipotezë, por një marrëveshje që tashmë po konkretizohet.

Ai e shpjegon atë në tre faza. “Do arrihet fillimisht një marrëveshje që zgjedhjet vendore të shtyhen pak. Hapi i dytë do të jetë krijimi i  një qeverie tranzitore, që nuk do të zgjasë deri në zgjedhjet e 2021, por deri në zgjedhjet e parakohshme, dhe duket që palët kanë rënë dakord  që kur të arrijnë marrëveshjen për zgjedhjet vendore të kenë caktuar edhe datën e ardhshme. Periudha nga zgjedhjet vendore tek ato parlamentare i jep kësaj qeverie tranzitore mandatin për një reformë politike”.

Po në qoftë se një marrëveshje ekziston në tryezë, pse palët duket sikur janë në përballjen  e tyre më të ashpër? Malaj e shpjegon me atë që quan game theory“Asnjë nuk e tregon marrëveshjen deri ditën që ajo do të formatohet në të tre elementët”. Arsyja? “Maksimizimi i përfitimit të palëve”, sipas Malajt.

Share: