Kryedemokrati Lulzim Basha në një dalje për media, ka folur mbi protestën e së hënës dhe aksionin opozitar në vijim. Basha falënderoi gazetarët dhe operatorët për qëndrimin e tyre dje në kushte shumë të vështira si dhe qytetarët që morën pjesë, duke dhënë sipas tij një mesazh të qartë.
“Nuk ka asnjë hap pas”, theksoi Basha pak orë pas konferencës së kryeministrit Edi Rama, që gjithashtu nuk lëvizi nga istikami, se zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen.
“Një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj dite ka qenë media, gazetarët dhe operatorët që kanë qëndruar në kushte të vështira, operatorët duke ecur mbrapsht për të transmetuar live këtë ngjarje.
Dua të falënderoj qytetarët, një mirënjohje të jashtëzakonshme kam për ju. Asgjë nuk ju ndali të vinte në këtë protestë.
Ky ishte një mesazh kombëtar, i qartë dhe i prerë për këdo dhe në veçanti për pengmarrësin e demokracisë, për pengmarrësin e familjeve shqiptare, njeriun që ka mbyllur derën e negociatave se nuk ka dhe s’do ketë asnjë hap pas.
Do ketë vetëm hapa para. Bashkimi ynë ka marrë përmasa që i kalojnë kufijtë. Është një bashkim popullor. Përshëndes të gjithë ata socialistë të ndershëm burra e gra që pata rastin ti takoj personalisht.
Kjo nuk është një betejë për partitë politike por për transformimin. Pjesëmarrja madhështore dëshmoi besimin e madh që kanë qytetarët tek kauza”, deklaroi Basha.
Kreu i PD, Lulzim Basha thotë se pranon angazhimin e ndërkombëtarëve për zgjidhjen e krizës politike.
“Ju kam komunikuar atyre se e mirëpres angazhimin e tyre për zgjidhjen e krizës politike në vend. PD dhe opozita kanë qenë dhe janë gati të përfshihen në një proces të vërtetë politik me ndihmën e partnerëve ndërkombëtare për të zgjidhur këtë krizë.
Largimi i Ramës është çelësi që i hap rrugën këtij procesi politik. Jemi të gatshëm të diskutojmë edhe mbi detyra për aspekte të tjera që do të bëjnë të mundur që kurrë më, asnjë njeri me pushtet mos marrë peng vendin duke marrë peng zgjedhjet.
Ky është synimi ynë, ti japim fund një Shqipëria të përjashtuar nga barazia para ligjit, nga barazia duke i dhënë fund një pakice që ka marrë vendin me anë të shit blerjes së votës“.