Që nga gënjeshtrat trashanike deri tek ato të bardhat, ekspertët shpjegojnë arsyen se si dhe përse njeriu gënjen
Të gjithë predikojnë se gënjeshtrat nuk duhen thënë kurrë, por kur vjen puna për të shmangur telashet, për të mos dalë keq në sy të të tjerëve apo edhe për të kursyer dhimbjen e dikujt, askush nuk mund të mos gënjejë. Në fakt, më shumë se 80 për qind e femrave pranojnë të kenë thënë nga ato që quhen ndryshe gjysmë të vërteta. Për sa i përket gënjeshtrave të thëna në dashuri 75 për qind e femrave gënjejnë veçanërisht në lidhje me paratë. David L. Smith nga Universiteti i Nju England shpjegon se njerëzit janë të prirur për nga tregimi i përrallave, pasi lejojnë manipulimin e fakteve në sytë e të tjerëve sipas dëshirës. Ja gjashtë mënyrat më të përhapura sesi njerëzit e shtjetërsojnë të vërtetën dhe gënjejnë.
Gënjeshtrat për të shpëtuar nga situata, si për shembull “kishte shumë trafik”, “nuk e kam dëgjuar telefonatën tënde”, krijohen për vetëmbrojtje. Edhe pse janë instiktive, njerëzit që mbulojnë me to gabimet pa dashje, fillojnë të mendojnë se kanë lejen të jenë të papërgjegjshëm. Zakonisht përdoren në marrëdhënie jo shumë të ngushta.
Mënyra më e mirë për t`i shmangur është të mendohet se sa më pak i vërtetë të jesh, aq më e dobët do të jetë marrëdhënia me personin që po e gënjen. Për të dalë nga situata të vështira mbani mend se është më mirë të përdorni kërkesën e faljes, sesa gënjeshtra të ndërlikuara.
Gënjeshtrat e thëna për të larguar fajin nga vetja si për shembull “nuk është vendimi im, por i shefit”, “askush nuk më tha që telefonove”, “nuk e dija që duhet të vija, mikja nuk më lajmëroi” përdoren nga njerëzit për të larguar pushtetin dhe kontrollin. Kur bëhen vazhdimisht, mund të dëmtojë seriozisht aftësinë e personit që e thotë për tu përballur me sfidat e jetës. T`ia hedhësh fajin dikujt, nuk të bën të pafajshëm, përkundrazi tregon se nuk je në gjendje të marrësh përgjegjësitë e tua dhe për më tepër nuk e largon vëmendjen nga ti. Ekspertët shpjegojnë që këto gënjeshtra mund të vijnë si pasojë e një fëmijërie të mbushur me kritika.
Gënjeshtrat për të shmangur përballjen si për shembull “Patjetër mami do të shkoj në aeroport tre orë më përpara”, “je një punonjëse shumë e mirë, por nuk e përballoj dot rrogën tënde”, janë sajesa të cilat i ndihmojnë njerëzit të mos ndihen fajtorë dhe të shpëtojnë nga konfrontimi me dikë tjetër. Ekspertët ju këshillojnë të qëndroni larg këtyre gënjeshtrave, pasi ndikojnë shumë negativisht në ndërtimin e personalitetit tuaj. Kur bini dakord me dikë për një veprim të caktuar, nuk nënkupton se shpëtuat, përkundrazi personi tjetër do të vazhdojë me kërkesat nëse nuk i bëni të qartë mendimin tuaj. Për të shmangur këto gënjeshtra përpiquni të gjeni mënyra më të përshtatshme për tu shprehur, të cilat i afrohen më shumë të vërtetës.
Gënjeshtrat për të arritur qëllimet thuhen nga njerëzit që duan të përfitojnë prej të tjerëve. Këto gënjeshtra janë shumë të dëmshme, pasi kur zbulohen personi të cilit ia keni thënë, nuk do të ketë mëshirë për juve, kur të mendojë se e keni përdorur. Ka shumë pak gjasa t`ju falin kur gënjeni për të arritur qëllimet tuaja. Për të shmangur këto gënjeshtra duhet të përpiqeni të mos justifikoheni më dhe të tregoheni të sinqertë, sepse në këtë mënyrë mund ta keni pak më të vështirë për të marrë atë që doni, por të paktën do ta meritoni vërtetë.
Gënjeshtrat që ju bëjnë të dukeni të sjellshëm si për shembull “Dukesh shumë bukur me atë fustan”, “ky është mishi më i mirë që kam ngrënë”, konsiderohen si gënjeshtra të bardha dhe përdoren në raste kur dëshiron të kesh marrëdhënie të mira me personin që po ia thua. Në këtë rast rrezikoni të zbuloheni dhe të dukeni në sytë e të tjerëve si dikush që bën lajka të pavërteta. Psikologët ju këshillojnë që të komplimentoni pa e kaluar masën dhe të mendoni se çdo gjë e ka një kufi. Këto gënjeshtra mund ta zbukurojnë lidhjen tuaj me dikë, por nuk do ta bëjnë kurrë më të fortë.
Gënjeshtrat për tu dukur perfekt si për shembull “unë kurrë nuk gënjej apo shoh televizor” thuhen për tu mburrur e për tu dukur si njeri pa të meta në sy të të tjerëve. Askush nuk është ideal, kur gënjeni për gjëra të tilla, ju i krijoni vetes probleme personaliteti. Për t`i shmangur këto gënjeshtra të panevojshme këshillohet të jini vetvetja, të pranoni të metat tuaja, fundja të gjithë i duam të sinqertët dhe ata që janë të thjeshtë. Mbani mend që perfekt është ai që i njeh të metat e tij dhe përpiqet t`i rregullojë, jo ai që i fsheh ato.
Përse gënjejmë? Ekspertët shpjegojnë se gënjeshtra është një mënyrë e sugjestionimit të vetvetes. Duke gënjyer ne rrisim vetëvlerësimin dhe vetëmbrojtjen. Njeriut i pëlqejnë gjërat ideale dhe për këtë arsye ai krijon versionin më të mirë të situatës duke sajuar kështu një gënjeshtër që e konsideron si të mirë për veten e tij në radhë të parë dhe së dyti si më të pranueshme nga të tjerët.
Statistika mbi gënjeshtrën. 12 për qind e të rriturve pranojnë se gënjejnë shpesh. 80 për qind e femrave pohojnë se thonë gënjeshtra “të bardha”. 31 për qind e njerëzve thonë se kanë gënjyer për sa i përket rezymesë së tyre. 13 për qind e pacientëve i gënjejnë doktorët e tyre ndërsa 32 për qind të tjerë pranojnë se e kanë deformuar të vërtetën. 40 për qind e pacientëve gënjejnë kur thonë se po i ndjekin këshillat e mjekëve, ndërsa 30 për qind gënjejnë për ndjekjen e dietave dhe regjimin e ushtrimeve. Në një bisedë 10 minutëshe 60 për qind e njerëzve e thotë të paktën një gënjeshtër. Meshkujt u thonë zakonisht 6 gënjeshtra në ditë personave që kanë pranë, ndërsa femrat gënjejnë vetëm 3 herë në ditë.