Gjuha e trupit / 7 mënyra për të dërguar mesazhin e duhur

Shkencë & jetë

Si ta përdorni komunikim joverbal në avantazhin tuaj dhe të “programoheni” për sukses

Nga Peter Economy

Nuk është sekret se mënyra me të cilën ne komunikojmë joverbalisht – më shumë në formën e gjuhës së trupit – ka një ndikim shumë të madh në mënyrën se sa me efektivitet komunikohen dhe merren këta mesazhe nga të tjerët. Në fakt, studiuesit thonë se 60 deri në 90 për qind e të gjithë komunikimit tonë me të tjerët është në formë joverbale.
Në librin e tij “Shtatë Disiplinat e një Udhëheqësi”, autori Jeff Wolf jep disa këshilla se si çdokush mund të mësojë sesi të dërgojë mesazhin e duhur me gjuhën e trupit. Dhe rëndësia e komunikimit joverbal nuk mund të nënvlerësohet për askënd në biznes. Vetë Wolf shpjegon: “Komunikimi në nendin e punës, qoftë verbal, ose joverbal, udhëheq të gjithë aktivitetin mes jush, shitësve, blerësve dhe bashkëpunëtorëve.”
Provoni të vini në zbatim këto shtatë këshilla të gjuhës së trupit dhe shikoni sesi komunikimi juaj do të përmirësohet – me shpejtësi dhe me shumë lehtësi.
1. Vështroni veten … dhe të tjerët
Kur jeni duke komunikuar me të tjerët, kushtoini vëmendje mesazheve që jeni duke dërguar, përmes përdorimit të trupit. A përshtaten fjalët që po thoni, me ato cfarë gjuha e trupit tuaj lë të kuptohet? Nëse jo, duhet t’i përshtasni. Njerëzit me intuitë e dinë se, në shumicën e rasteve, mesazhet joverbale që ju dërgoni janë më të saktë sesa mesazhet që nxirrni me anë të fjalëve.
2. Mbani kontakt me sy
Bëni një përpjekje të rrisni sasinë e kontaktit me anë të syve kur flisni me të tjerët – sidomos me bashkëpunëtorët, shefin tuaj, ose këdo që punon për ju. Kontakti i syve rrit besimin. Nga ana tjetër e medaljes, nëse mënjanoni kontaktin me sy, jeni duke dërguar një mesazh të fortë se nuk ndiheni rehat, apo madje edhe se po tregoheni i pandershëm.
3. Punoni me qëndrimin e trupit
Qëndrimi i trupit tuaj është drejtpërsëdrejti i lidhur me besimin që shfaqni ndaj botës. Nëse rrini shtrembër, praktikisht jeni duke i treguar botës se ju mungon besimi dhe se jeni i painteresuar ndaj personit tjetër. Kur qëndroni ose uleni drejt, ju projektoni një mesazh të fortë besimi dhe interesi tek personi tjetër.
4. Drejtoni tryezën e punës – dhe veten tuaj
Një tavolinë e rrëmujshme – ose një sjellje e tillë – pasqyron një qëndrim të pakujdesshëm dhe një mendje të rrëmujshme. Kështu ju i dërgoni botës mesazhin se jeni jo vetëm jo i mirëorganizuar, por njëkohësisht edhe i pakujdesshëm. Këto nuk janë mesazhe të mira për t’u dërguar, nëse doni të mbani punën që keni, apo të ngjisni shkallët e karrierës.
5. “Lexoni” auditorin
Kur jeni duke bërë një prezantim para një ekipi apo grupi njerëzish, kërkoni për mesazhe joverbalë që auditori jua dërgon. Nëse pjesëtarë të auditorit tuaj fillojnë të kërrusen, hapin gojën, të kontrollojnë celularin, ose edhe të dremisin, atëherë duhet ta dini se keni nevojë të bëni diçka menjëherë, për t’i dhënë energji mesazhit tuaj. Me qëllimin final që të rifitoni vëmendjen e tyre.
6. Dëgjojeni zërin tuaj
Megjithëse nuk e vëmë re zakonisht, kur flasim, ne dërgojmë të gjitha llojet e mesazheve të fuqishme, pikërisht përmes mënyrës se si e përdorim zërin tonë. I dërgojmë këto mesazhe (të njohura si paragjuhësore) përmes lartësisë së zërit, ritmit, tonit, lakimit, volumit dhe luhatjeve të tjera të tij. Një ton sarkastik, për shembull, dërgon një mesazh shumë të ndryshëm nga një që është i sinqertë dhe i ndjerë.
7. Bëjini pyetje vetes
Monitoroni progresin që bëni në komunikimin tuaj joverbal gjatë përditshmërisë së punës suaj. Jeff Wolf sugjeron të bëni këto pyetje: “Si u perceptova nga të pranishmit në takim? A mund të kisha bërë diçka ndryshe? A ishin njerëzit vërtet të interesuar dhe a tregonin vëmendje për atë çfarë po thoja? A I kam dëgjuar mirë të tjerët?”./“B.I.”/
e.xh./www.bota.al

Share: