Nga Mustafa Nano
E duan Shqipërinë ata që kanë dalë të protestojnë në rrugë? Nuk ka pse të përjashtohet kjo gjë, sidoqë dashuria për vendin është një koncept shumë i mjegulluar. Por ka pyetje të tjera përveç së parës: Protestuesit janë duke u përpjekur për Shqipërinë? Po e bëjnë të gjithë këtë gjë në emër të idealeve të mëdha? Në këtë pikë jam i sigurtë që jo. E që të mos lë vend të mendohet për ndonjë pasiguri timen, po e përsëris, madje më qartë: JO. Nuk ka asnjë princip në themel të kësaj beteje. Sepse në Shqipëri nuk bëhet asnjë luftë për principe e ideale. Asnjë. Kështu ka qenë gjithnjë. Dhe sidomos sot, kur pothuajse të gjithë aktorët publikë janë qëniet më të ndotura të vendit, më të ndotura sesa çdo delinkuent i rrasur në burg apo i shpallur në kërkim. Çdo qëndrim të tyrin e ngrejnë mbi motivime të liga. Dhe e vetmja alibi që kanë është: ata që janë përballë tyre nuk i kanë motivimet më të mira. Mirëpo kjo alibi nuk e fisnikëron kauzën e tyre. Nuk ka se si. Thjesht mund t’u vlejë për t’ua mbajtur të qeta ndërgjegjet e tyre. Që të qeta nuk duhet të jenë.
Dëgjoj tek-tuk kolegë të mij që u kërkojnë të gjithëve të mbështesin Lulzim Bashën. Dhe e bëjnë këtë me arrogancën e atij që e di mirë se si janë gjërat në këtë botë. Çuditen se si ka njerëz që nuk ua vënë veshin apelit të tyre. Çuditen se si nuk ngrihet e gjitha Shqipëria të bëjë atë që po bëjnë ata vetë. Tani, unë i mirëkuptoj në zemërimin e tyre ndaj qeverisë (e kam edhe unë këtë zemërim, nëse ata më lejojnë), por nuk e kuptoj se si hallin e Lulzim Bashës, që i Bashës nuk duket se është, s’e kanë për gjë ta bëjnë edhe hall të tyrin. Nuk e kuptoj se si nuk e kuptojnë që të tjerë si ata kanë (të paktën) të njëjtat arsye t’u bëjnë thirrje shqiptarëve që veç Lulzim Bashën të mos e mbështesin.
Dua të them se qëndrimet anti Rama janë një gjë, por qëndrimi pro Basha është një gjë krejt tjetër. Dhe këtu po kthehem sërish tek diskutimi mbi principet apo idealet. Sepse ky është ambalazhi, me të cilën vishet ky solidarizim me Bashën. “Rama na ka vjedhur zgjedhjet”, “po na plaçkit vendin”, “po ngre diktaturën”, “po ushtron dhunë ndaj protestuesve” – ja, këto janë pretendimet e tyre. Janë pretendime që ngrihen mbi shqetësime të fisme, s’ke ç’thua. Shumë të fisme. Dhe kësaj i thonë ta ngresh stekën lart. Kush ngrihet në emër të këtyre shqetësimeve do të thotë që e ka pragun e ndjeshmërisë shumë të lartë, apo me fjalë të tjerë, është njeri shumë lëkurëhollë. Ne do duhej të ishim të lumtur sikur të kishim mes nesh njerëz me këtë prag ndjeshmërie ndaj pushtetit abuziv.
Mirëpo, këta nuk janë të tillë. Ata janë krejt e kundërta. Merrini me radhë njerëzit që ngrejnë zërin kundër korrupsionit, vjedhjes së votave, dhunës, diktaturës. Dhe përpiquni të gjeni në jetën e tyre ngjarje të tjera që ilustrojnë e provojnë të njëjtën ndjeshmëri. Përpiquni, përpiquni! Por kot e keni. Sepse nuk do të gjeni gjë. Me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, të gjithë këta janë idealistë sezonalë, që me fjalë të tjera i bie të jenë mashtrues. Këta dashnorë të votës së lirë ngrejnë zërin kundër bandave që kontrollojnë procesin elektoral në terren, por ku ishin këta kur dikush tjetër para ca kohësh nuk mjaftohej me banda të vetat në terren, por e shndërroi edhe KQZ-në në një bandë të rrezikshme? Ju kujtohet besoj se si posti i Bashkisë së Tiranës u vodh ditën me diell. U vodh me vendim KQZ-je. Dhe ky i kreut të bashkisë së kryeqytetit nuk është një post dosido. Është posti më i rëndësshëm pas atij të kryeministrit (rëndësinë po e mas – ky është kuti, me të cilin maten gjërat këtyre anëve – me paratë publike që i vihen në dispozicion kësaj bashkie). Dhe e gjitha u bë që dikush të bëhej kryetar bashkie. Dhe ky dikush e ka emrin Lulzim Basha, që sot po lufton për zgjedhje të lira. Më bëni dot një listë me personazhe publike që sot po bëjnë namin kundër vjedhjes së votave e që atëmot e kanë dënuar flirtin e pushtetit me bandat në terren dhe gatishmërinë e pushtetit për ta shndërruar institucionin, të cilit i ishte besuar administrimi i procesit elektoral, në një bandë? Do doja shumë të më binte në dorë një listë e tillë. Që do të ishte, në fakt, si lista e arinjve polarë në Myzeqe.
Ose shikojini ata që sot flasin për diktaturë, e për dhunë ndaj protestuesve (vini re: deri më sot nuk është lënduar asnjë protestues seriozisht). Çfarë qëndrimi kanë mbajtur këta më 21 janar 2011, kur njerëzit e pushtetit vranë katër protestues në bulevard? Çfarë qëndrimi kanë mbajtur kur vrasësi, apo urdhëruesi i vrasjeve, i kanosej të parit të opozitës me fjalët: provoje ta bësh edhe njëherë atë që bëre, dhe do të ndëshkoj ashtu si ndëshkohet një horr? Dhe besoj që e mbani mend se çfarë bëri i pari i opozitës (e çfarë nuk iu lejua ta bënte për herë të dytë). Fjala ishte për një protestë, e cila ishte si një festival gazi e hareje në krahasim me protestat që po bëhen sot. Ua them unë çfarë qëndrimi kanë mbajtur. Në rastin më të mirë u mjaftuan të thonë: Përgjegjësí për katër të vrarët ka ai që i çoi protestuesit para kryeministrisë! Ndërsa sot janë duke protestuar brenda së njëjtës “thertore” (para kryeministrisë), në krah të urdhëruesit të atyre vrasjeve, kundër policisë që ushtron dhunë mbi protestuesit. Dhe duan që t’i marrim për idealistë. Idealistët e leshit!
E kështu mund të vazhdohet me ilustrime të pafundme, të cilat i nxjerrin zbuluar “paladinët” e sotëm të lirisë, të demokracisë, të zgjedhjeve të ndershme, etj. Mund të pyetet: Po mirë, meqënëse e kanë bërë ata, duhet t’ua falim Ramës e Co.? Jo, këtyre nuk duhet t’u falim asgjë, por ne duhet të biem dakord se një kauzë e drejtë e përfaqësuar nga njerëz të gabuar është një kauzë e gabuar, se nuk mund e nuk duhet të lejojmë që vjedhësit e votave të na hedhin në luftë civile në mbrojtje të votës së lirë, se nuk mund e nuk duhet të lejojmë që ca njerëz të korruptuar ta destabilizojnë vendin në përpjekje për të luftuar korrupsionin e palës tjetër. Ne këtyre njerëzve (në të majtë e në të djathtë) u kemi toleruar çdo gjë, u kemi toleruar edhe pasuritë e mëdha që kanë vënë e që ata i ekspozojnë para syve tanë gjithë ditën e ditës, si të ishin dekorata lufte e heroizmash, por nuk kemi pse t’i ndjekim teksa duan ta fusin vendin në luftë civile. Ne shqiptarët e kemi hak ndoshta që këta njerëz (majtas e djathas) të na punojnë qindin, por nëse ne i lëmë që, për interesat e tyre, të na fusin edhe në vëllavrasje, atëherë jemi të marrë fund. Dhe mirë të na bëhet!
Unë, në momentet më empatike të mijat, nuk e kam për gjë të bie dakord edhe me idenë se njerëzit kanë të drejtë të çohen për interesa të tyret, edhe pse këto interesa mund të bien ndesh me ligjin apo me interesin publik. Kur një qeveri perceptohet (siç është në fakt) si një mbrojtëse e promovuese e interesave jo legale të një grushti njerëzish, kjo empati e imja bëhet edhe më e kuptueshme. Por pasi thashë këtë, më duhet të bërtas një fakt tjetër: Hej shqiptarë, ne duhet të mbrojmë një interes të përbashkët. Dhe sot ka vetëm një interes të përbashkët që duhet mbrojtur. Ky interes është: Paqja, rendi e siguria publike. Njëzet e tridhjetë mijë vetë që janë në mbrojtje të interesave të tyre, e që për këtë arsye i kanë dhënë dum punës të bëjnë atë që po bëjnë, nuk janë asgjë në krahasim me qindra mijra të tjerë që si interes kanë vetëm një gjë: qetësinë për të punuar e për të ndërtuar një jetë minimalisht të hijshme në këtë vend të pahijshëm, të sunduar nga padrejësia, korrupsioni, e pushteti abuziv. E te pushteti abuziv duhet përfshirë edhe opozita. Kush nuk gjen arsye për ta bërë këtë, është thjesht një i paudhë. Nëse nuk është një qorr.
Unë e di, që apeli në mbrojtje të rendit e qetësisë publike shkon në favor të pushtetit. Por kështu si po shkojnë punët, nuk bëhem më merak për këtë gjë. Nuk kam luksin për të jetuar me një merak të tillë. Askush nuk e ka më këtë luks. Madje, me këtë rast po i bëj një apel qeverisë (edhe partnerëve të huaj që kanë ndikim e pushtet në Shqipëri): Është ok që merrni përsipër të mbroni të drejtën e dhjetra mijrave njerëzve për të protestuar, por në të njëjtën kohë duhet të merrni përsipër, mbi të gjitha, të mbroni të drejtën e qindra mijrave të tjerëve për ditë jetuar në paqe në vendin e tyre.