Votat shiten e blihen që atë ditë që u shpikën!

Analizë Opinion

Nga Pëllumb Kulla

Nga letërkëmbimi me Ziken!

Vetëm këtu tek ne, nuk e ditkan këtë, o byrazer!

Dhe asnjeri nuk e shpjegon dot përsenë e kësaj katrahure. Thonë që nuk e duam këtë kryeministër, nuk e largojmë dot me vota, se votimet janë larg dhe, bile, as atëherë nuk është e sigurtë ikja e këtij. Se ky, i sotmi, paguan dhe ble fitoret. E pagesat e fitores janë krim. Kur humbet edhe pse ke paguar më shumë se fitimtari ato nuk janë krime, por thjesht, sakrifica për të mirën e vendit.

Ti besoj e sheh seç po bëhet.

Protestuesit ua caktojnë policëve javë për javë kryqëzimet rrugore dhe datat e takimeve.

Dhe ua kujtojnë vazhdimisht, se mos ata vetë mblidhen dhe policët bëjnë ndonjë marrëzi e nuk u venë!

Po të mos venë policët atëhere tubimi është i kotë se këtyre që do të çirren “Ramaik!” nuk ka kush t’u ulurijë “Ramarri!” Pa policë or byrazer, nuk ke me kë të zihesh dhe i ke mbushur kot xhepat me shami për lotësjellësit.

Por policët janë korrektë dhe u venë në kohën e duhur.

Rrugëkryqet mbushen, shfaqja Ramaik fillon dhe zgjat dy orë. Makinat nga të katër anët e vendit, në katër vargje të gjata me sy nga sheshi e ballë njëra tjetrës presin të shkëmbehen e të shkojnë për aty ku janë nisur, por i pengon zallamahia që kanë aty në mes. Motorat u ftohen, rimorkjot rrijnë si bebe të heshtura të lidhura pas fustanit të mamasë, pirgje me goma digjen dhe njeriu i shkretë i sheh këto e mendon: ore megjithë këto goma, rimorkjo e karrocari me mallra, këta që çirren, e kanë me kryeministrin, apo me ministrin e transportit?!

Se asgjë nuk bllokohet aty, or byrazer, veç makinave. Biçikletat qarkullojnë, këmbësorët shkojnë për ku janë nisur, aeroplanët dhe elikopterët fluturojnëojnë përmbi shfaqjen që po zhvillohet… Rama vetë ikën nëpër takimet e caktuara dhe thirrjet Ramaik- Ramaik, duket sikur e nxisin të ikë sa më shpejt për aty ku është nisur se mos vonohet…

Makina e makina, sa të duash, po ajo makina e madhe e zemërimit të shqiptarëve nuk po ndizet. Të gjithë shefat mandatdjegur u rraskapitën duke vërtitur manivelin, po motori i madh nuk shfryn fare.

Po nuk shfryn, or vëlla se mëkati që i faturohet Ramës është qesharak. Ore, jo vetëm që nuk e kanë parë dhe fotografuar duke dhënë para e duke marrë kusurin, por nuk ka njeri me mend në këtë botë që të mos e dijë se blerjet ai i ka bërë! E as ka nevojë të vërtetohet. Se këtë lloj mëkati e ka bërë i mirë dhe lig, i zi dhe i bardhë, muhamedan dhe i krishterë, qëkurse janë shpikur votat. E i ka bërë edhe Merkeli e Makroni. Trampi, po se po, por i ka bërë dhe vetë Linkolni! Vetë fushatat zgjedhore janë ca biçim panaire votash, ku njerëzit blihen sapo i thua se jeta e tij do bëhet më e mirë. Se rrogat do ngrihen, se pronat do rikthehen dhe se pensionet do rriten trefish… Gjyshkës tonë t’i premtosh një pension më të madh se ky që ka, ia jep votën për kryeministër edhe Nard Ndokës, që sa herë i del në ekran klith “amani, hajdeni ma hiqni!”

E rrugët or mik, nuk po i bllokojnë të papaguarit, por ata që duhet të paguanin sepse patën premtuar kur kishin fuqinë. Ata që duan të premtojnë përsëri po përplasen me policinë. Se këstet e të përndjekurve ai baba-njerku i demokracisë nuk i dha. Nanoja ka akoma pa paguar votat e blera me premtimet e parave të humbura në piramidat. Rama ka akoma nja 250 mijë vende-pune borxh dhe djali im mezi e priste atë përmbushje…

Ka ca që e thonë me shifra. Pse shkon larg ti, bre! Bashën njëditzaj e zunë me presh në duar duke u blerë votat ca infermjerëve e ca doktorëve. Ua bëri rrogat me euro, oreee! 1200 në muaj! Aq sa mjekët nesër i ke të tërë në Ramaikun e radhës. Kaq të përndezur janë. E që tani kanë filluar e nuk pranojnë më para nën dorë. Tregojnë për një doktor në Berat që pacientin e ardhur me ftomë e kish shtruar në kirurgji me kocka të thyera nga rrahja, se ai pat tentuar t’i jepte para nën dorë e mjeku kish vendosur të priste Bashën.

Po a do ta shlyejë ndonjëherë këtë blerje Basha? Jo or jo! Së pari sa është ai në krye të Ramaikut, zor se vjen në fuqi e nuk do t’i mbetet borxh njeriu. Por ta zemë, erdhi… Do ta harrojë premtimin se nuk ka për ta gjetur gjë. Se mos e gjeti gjë Nanon!…

Vazhdon katrahura byrazer. Të paça!…

I yti, Zikja

Share: