“Sikur të isha djalë” nga Haki Stërmilli

Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Qeh erdhën  krushqit për me më marrë. Kur vdes kush e përcjellin me karroca deri ke Vorri i Bamit, por edhe kur martohet ndokush e përcjellin me karroca deri në shtëpin e dhandrit. Mos asht martesa sinonim i vdekjes?

Për mu edhe për shumë të tjera asht ma e hidhët se vdekja, pse martohemi me njerës të panjoftun e të padashunuem prej nesh.
Qielli asht i vranët. Re të zeza e kanë mbulue. Pika shiu nisën me ramë nga naltë. A thue se edhe Qielli merr pjesë në hidhnimin t’em e po qan? Kush e din. Grat e gocat që janë futë në kthinën t’eme më thrresin të cohem e të shkoj ke … ai njeriu i huej.
Oh un e shkreta! Më dridhen të gjitha gjymtyrët e shtatit dhe po m’errësohen syt.

-Hajde ma! – thot nji grue.
-Hajde se po presin burrat në rrugë – thot nji tjetër.
Oh sa bukur e sa mirë do t’u përgjigjesha këtyne thirrjeve, po të mos i kisha dhanë besë Shpendit, se do të rroj derisa të më korri vetë drapni i vdekjes. Oh se c’mësim do t’i epsa skotës mashkullore që tregton në korriz të femnës së ngratë. Ah un e mjera që s’jam në gjendje me bamë kurrgja për t’i përgjigjë zemrës së shitueme.
-Hajde Dije ma! – Kjo asht Hallë Hatixheja që po më thrret.
-Po- gjegja përvajshëm.

Lotët që burojnë nga gurrat e zemrës e të shpirtit shpërthyen e nisën me u shprazë nga syt. Lamtumirë o u kujtimet e mija të pastërta të foshnjëris. Lamtumirë ti o jetë e dlirë e vajzënis. Lamtumirë o ju andrrat e lumnis s’eme. Lamtumirë ti o frymë e shenjtë e nanës s’eme që tash sigurisht endesh në këtë kthinë, ku më mojte, më përkunde e më përkëdhele. Lamtumirë ti o Shpendi em i shtrenjtë. Lamtumirë edhe ti moj zemër që po të vorrosin për së gjalli. Po më ngrenë me pahir.

Share: