Me propozim të Kryeministrit Rama, qeveria ka miratuar një vendim i cili parashikon pezullimin e tenderave për njësitë e qeverisjes vendore.
Përjashtim nga ky pezullim bëjnë tenderat me vlerë të vogël. Ky pezullim është lënë pa afat në vendimin e qeverisë por sipas të gjitha gjasave, ato do të rifillojnë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Kësisoj, krerët e bashkive nuk do të kenë mundësi që në fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit të mund të iniciojnë fillimin e punimeve infrastrukturore etj.
Nё mbёshtetje tё nenit 100 tё Kushtetutёs, të neneve 16 e 40, të ligjit nr.9936, datё 26.06.2008, “Pёr menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, tё ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Kёshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Pezullimin e përkohshëm të fillimit të procedurave të prokurimit nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet kontraktore në varësi të tyre, për vitin 2019.
Përjashtohen nga ky rregull:
– prokurimet me vlerë të vogël;
– procedurat e prokurimit që kanë si objekt produktet ushqimore.
- Ngarkohen të gjitha institucionet e vetëqeverisjes vendore, institucionet në varësi të tyre dhe Agjencia e Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA