Narcizizmi në rrjetet sociale

Analizë Opinion

Nga Urim TUSKU

Narcizi ishte një personazh në mitologjinë greke, ekzistenca e të cilit mbart kuptimin e një egoizmi të tejskajshëm njerëzor. Ai ishte i dashuruar me veten dhe miti i tij merr forcë pikërisht për këtë veti, që nuk arrinte të donte askënd, veç vetes. Derisa një ditë, pranë një pellgu uji pa shëmbëllimin e vetes së tij dhe desh ta përqafonte, por fundi ishte fatal, u mbyt aty. Një sjellje e ngjashme mund të jetë dukuria që haset rëndom ne kohën e sotme në rrjetet sociale. Përveç se kanë një përdorim të shtuar çdo ditë, rrjetet sociale, si Facebook, Instagram etj., po manifestojnë edhe një shtrembërim të komunikimit. Kjo shihet qartë sidomos te të rinjtë, që janë shumë të dhënë pas imazhit sesa pas një komunikimi të mençur dhe plot vlera. Predispozita është e qartë, që anon dukshëm nga imazhi, saqë edhe kur njerëzit kanë dalë shëtitje në një vend të bukur, vrapojnë të bëjnë selfie dhe t’i hedhin në rrjetet sociale, e më pas të presin “gjithë ankth” se sa “like” do të marrin! Madje, studimet tregojnë se njerëzit më shumë kënaqen kur postojnë një foto sesa nga vendi ku kanë shkuar për të festuar. Numri i like-ve (pëlqimeve), në të pavetëdijshmen e përdorueseve të këtyre rrjeteve duket sikur është edhe certifikimi se sa vlen individi që ka në përdorim rrjetin social, pavarësisht rolit të tij të dobishëm apo jo për shoqërinë.

Kjo mënyrë e të gjykuarit, e ardhur me imponim nga shumica, që në vetvete nuk është shumë e formuar, vlerëson dukjen dhe jo përmbajtjen, po përmbys vlerat me të cilat shoqëria njerëzore ishte mësuar deri më tani. Dikush tjetër, që ndoshta nuk është në nivelin e sipërfaqësores aq sa duhet, arrin të marrë një grusht like-sh të papërfillshme, edhe pse statusi i vendosur prej tij mund të jetë shumë përfitues për të gjithë si një impuls dijeje. Kjo situatë çon drejtpërdrejt në një mpirje të komunikimit dhe njeriu që harton fjalët dekurajohet, që një fenomen ta veshë me fjalë dhe ta vendosë në rrjet.

Janë të shumta rastet, kur statuse fjalësh, që më shumë ngjajnë banale sesa serioze, janë më të pëlqyera nga përdoruesit e rrjeteve sociale. Është e vërtetë se rrjetet sociale kanë ridimensionuar mënyrën e komunikimit në rang botëror, duke qenë të dobishme nga një mase e madhe njerëzish. Por, është po kaq e vërtetë, që përdorimi i tyre ka sjellë edhe shtrembërim të komunikimit.. Nëse i hedhim një sy hapësirës mbarëshqiptare, do të vëmë re që këtu dukuria e narcizizmit ka ardhur në rritje. Shihet qartë që postimet në këto rrjete janë të mbushura me gabime të dukshme drejtshkrimore, çka lë të kuptosh për mangësi të theksuara kulturore të përdoruesve. Me sa duket, stërmundimi për të hedhur një rresht me fjalë, i bën përdoruesit t’i bien për shkurt, të postojnë një foto. Gjithashtu, edhe ata që i ndjekin, e kanë më të lehtë, që t’i japin një pëlqim fotos sesa të lexojnë diku tjetër një mendim të vlefshëm. Kjo arenë kthehet vetvetiu në një hapësirë kur lartohesh nga pëlqimet dhe kushtëzohesh prej tyre për çdo veprim që kryen. Ndikimi është aq i dukshëm, saqë të krijohet përshtypja se rrjetet sociale janë e vetmja pasqyrë për çdokënd që kërkon një aprovim për pamjen ose bëmat e tij.

Gjithashtu, ajo që vërejmë çdo ditë është se të shkosh diku dhe të mos e “dokumentosh” nëpërmjet selfie-s, është sikur të mos kesh qenë në atë vend. Kjo sjellje, që karakterizohet nga ngarendja pas dukjes dhe nga mosinteresimi për përmbajtjen, po i zbeh dallimet mes njerëzve, se cili është i përgatitur e cili jo, në një fushë të caktuar. Komisioni i vetëm, që vërteton se cili është profesionist në një fushë të caktuar duket sikur ka ngelur në dorë të pëlqimeve dhe jo një vlerësimi tjetër serioz.

Përdorimin e rrjeteve sociale e ndihmon edhe një faktor tjetër, teknologjia. Është kjo e fundit, që nëpërmjet smartphon-ëve (telefonave të mençur), u ka dhënë një ndihmë të madhe rrjeteve sociale. Aq e pandashme është lidhja e tyre me smartphon-in (telefonin e mençur), saqë këtë mund ta quajmë edhe një “skllavëri” moderne për njerëzit. Edhe kur janë të ulur në një tavolinë së bashku, dy ose tre vetë e më shumë, duket që nuk i shpëtojnë ngasjes për t’u marrë me telefonin. Kjo lloj mënyre e të sjellurit po fut në krizë jo vetëm mungesën e interesit për librin, por po ndikon edhe te mënyra se si njerëzit komunikojnë ndërmjet tyre. Mund të shfajësohemi se ky është një problem botëror, por në fakt këtu ndjehet më shumë. Janë një varg faktorësh që e stimulojnë një prirje të tillë tek shqiptarët. Shqetësues është fakti te ndikimi që kanë në shoqëri sjellje të tilla, që duke gjetur shumë të  favorshëm terrenin, për shkak të mungesës së mekanizmave mbrojtës, e ardhmja mund të jetë edhe më inkurajuese për ta. Në këtë drejtim, mund të merret vetëm një masë, duke ndikuar që të nxiten shembujt pozitivë, ata që kanë diçka për të thënë dhe që përbëjnë me të vërtetë model për shoqërinë. Duke krijuar një digë të madhe, që ta ndalë këtë eufori idiote që e ushqen dita-ditës mediokritetin. Shembuj të tillë ka plot, edhe pse janë si ishuj të izoluar në rrjetet sociale. Mjafton që në këtë drejtim të bëhet një punë promovuese, për të treguar vlerën dhe antivlerën; cila është në shërbim të shoqërisë dhe cila e rrënon atë?! Sigurisht, për këtë situatë, janë përgjegjës, në një farë mase, edhe institucionet, të cilat duhet të krijojnë mekanizma mbrojtëse, sepse në të kundërtën do të rikthehemi te njeriu i paleolitit, duke komunikuar me shenja, pa futur në punë logjikën.

Share: