Lindita Nikolla i vërsulet Presidentit, e konsideron si opozita e tretë në vend

Aktualitet Kryesore Politikë

Rektori i UT-së, Mynyr Koni është rikthyer sot në detyrë, një ditë pasi Presidenti Ilir Meta nuk dekretoi shkarkimin e tij. Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla nuk nguroi ta quajë Meten si “opozita e tretë”në vend.

“Presidenti është kthyer në një opozitë të tretë tashmë prej shumë kohësh. Nuk do të doja ta komentoja vendimin e tij, por kam rezervat e mia. Ai e ka humbur funksionin që duhet të kishte duke u kthyer në opozitën e tretë, duke kthyer shumë ligje, mes tyre edhe dekretin për të cilin po flasim”,- tha ajo.

Më tej, ish-ministrja tregoi gjithë konfliktin e ndodhur me Mynyr Konin dhe se si u arrit tek dita kur pasardhësja e saj Besa Shahini kërkoi shkarkimin e tij.

“Kam dijeni të plotë për konfliktin. Siç e dini ligji i Arsimit të Lartë krijon dy autoritete. UT është i vetmi me mazhorancë në bordin e administrimit. Ne kemi ushtruar kontroll në rektorat edhe me kërkesë të senatit. Pasi gjetëm shkelje, kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me institucionin, të cilit i lamë disa detyra. Situata e re, me vijimin e protestave por edhe me verifikimin e detyrave të lëna ka bërë që ministrja Shahinit t’i kërkojë Presidentit shkarkimin e tij. Në gjithë këtë komunikim, ndërveprim ajo që duhet të prevalojë është cilësia e re që duhet ofruar në programet e universitetit. Pra shkarkimi u kërkua pasi u vërtetuan raste kur kishte shkelur ligjin”,- sqaroi ajo, duke e cilësuar të drejtë shkarkimin e pasardhëses së saj, Besa Shahini.

Tani që nuk është më në qeveri, Nikolla tregoi se po angazhohet politikisht në Qarkun e Lezhës, të cilin shtoi, se synojnë ta fitojnë në zgjedhjet e 30 qershorit.
“Po angazhohem, drejtoj politikisht Lezhën. Kemi filluar punën me strukturat dhe takimet me njerëzit. po përgatitemi për një histori suksesi atje. Po bëhemi gati të fitojmë bashkinë e Lezhës”,- vijoi jo.

Sa për vendimin e opozitës që la mandatet e ka nisur protestat, Nikolla e vlerësoi groteske rrugën e zgjedhur së fundmi prej tyre ku bllokohen rrugët, duke vështirësuar jetën e çdo shqiptari, sipas saj.

Share: