Eja, mike, tok të rrimë,
Hidhmi sytë drejt në sy!
Dua të dëgjoj stuhinë
Duke të vështruar ty.
Këtë ar vjeshtor në flokë
Perëndia ma dha vetë,
Mbase si shpëtim për kokën,
Me që jam çapkën vërtet.
Fushat, prozhmet plot me fletë
I braktisa, veç të vi
Të harrohem mes qytetit
Dhe të hidhurës lavdi;
Mendjen ta largoj prej kohës,
Kur nën vlugun pranveror
Dhe nën këngët e bretkocës,
unë u rrita vjershëtor.
Te dritaret, panja e blire
Zgjasin degët n’atë vend
Dhe kërkojnë n’errësirë
Gjithë ç’sjellin nëpër mend.
Ata s’janë më në botë;
Mbi varrezë, hënë e zbehtë
Ndrin edhe “Ky kënd”,-na thotë-
Përngamot dhe juve pret,
Që të dergjeni pa halle
Në qetësi e n’amëshim…“
Vetëm rruga gjithë dallgë,
Kujt jeton i fal gëzim.
Ndaj afrohu, tok të rrimë,
Të vështrohemi në sy!
Dua të dëgjoj stuhinë
Duke të shtrënguar ty!