Nga Kastriot Dervishi/ Nisur nga votimi i sotëm i Kuvendit për mbylljen e lojërave të fatit, po referoj bazën ligjore dhe disa fakte historike, se si edhe në diktaturën më të egër të Europës, nuk mundi të zhdukej vesi i bixhozit.
Shumë vite pas luftës, lotaria ishte monopol shtetëror, ndërsa bixhozi përbënte vepër penale. Pas mbylljes së lotarisë në vitet ’60, legjislacioni i kohës i parashikonte të dyja si vepra penale. Megjithatë, pavarësisht diktaturës së egër, si bixhozi, ashtu edhe lotaria nuk mundën të zhdukeshin. Mbyllja e menjëhershme tregoi se nuk ishte rruga e duhur për kufizimin e kësaj dukurie. Regjistri i gjendjes gjyqësore, dëshmon dënime të shumta me akuzën e bixhozit. Le të shohim, legjislacionin penal, si dhe statistika nga dy vitet e fundit të regjimit komunist.
Referuar ligjit nr.1470, datë 23.5.1952, i ndryshuar, Kodi Penal i RPSH-së, në nenin 285, “Mbajtja e lokaleve për bixhoz dënohej deri në 2 vjet heqje lirie ose internim, ndërsa luajtja me gjobëderi në10mijë lekë, punë korrektuese ose me heqje të lirisëderi në1 vit.
Referuar ligjit nr.5591, datë 15.6.1977Kodi Penal i RPSSH-së, në nenin 236 “Luajtja e bixhozit”, kjo vepër dënohej “me gjobë gjer në 1 mijë lekë, me riedukim nëpërmjet punës ose me heqje të lirisë gjer në 2 vjet”.
Statistikat e gjendjes gjyqësore të çdo viti, tregojnë se në gjyq janë dënuar një numër i madh shtetasish, ndërsa të tjerë janë demaskuar në lagje apo qendrat e punës. Referuar të dhënave nga Hetuesia e Përgjithshme, për dy vitet e fundit të diktaturës, kemi këto të dhëna:
Viti 1989
-Çështje penale 7009
-4969 të pandehur, prej të cilëve 1430 në gjendje arresti.
-110 të pandehur për krime kundër shtetit (79 për tentativë arratisje, 31 për agjitacion e propagandë, 1 për spiunazh)
-2656 të pandehurpër vjedhje të pronës socialiste, prej të cilëve në gjendje arresti ishin 806 (ndër të tjera 131 vjedhje kasafortash, prej të cilave u zbuluan 72).
-1290 të pandehur për vepra kundër personit (ndër të tjera ishin 77 vrasje me dashje me 5 me grabitje)
-475 të pandehur ushtarakë
-229 të pandehur për veprën e bixhozit
Në informacionin e këtij viti, ndër të tjera thuhej:
“Përhapje ka bixhozit në formën e lotosportit… Janë marrë të pandehur organizatorët kryesorë dhe personat e tjerë janë diferencuar duke u bërë problem në qendrat e punës në bashkëpunim me organizatat e masave”.
Viti 1990
-Çështje penale 8426
-5167 të pandehur, prej të cilëve 1771 në gjendje arresti.
-112 të pandehur për krime kundër shtetit (27 për tentativë arratisje, 59 për diversion, 25 për agjitacion e propagandë, 1 për spiunazh). Nuk përllogariteshin si krime kundër shtetit 44 të dënuar për kalim të paligjshëm të kufirit.
-2848 të pandehurpër vjedhje të pronës socialiste, prej të cilëve në gjendje arresti ishin 700.
-Për vrasje ishin 178 çështje, prej të cilave 62 me dashje.
-Për krimin e bixhozit, ishin dërguar në gjyq dhe dënuar 61 persona.