Fragment nga “Tre shokët” e Erich Maria Remarque

Gjuhësi Kritikë Letrare Kulturë Libri Reportazh / Profil

Pastaj, përnjëherësh, gjithcka ndodhi shumë shpejt. Mishrat e fytyrës filluan t’i treten. Kockat i kishte tani të holla si krahë fëmije, brinjët i dalloheshin nën lëkurë dhe ethet e zhuritnin pa ndërprerje atë trupth të ligur. Infermierja solli bombola me oksigjen dhe mjeku i vinte cdo orë.
Një pasdreke, temperatura i zbriti cuditerisht shpejt. Pati u zgjua dhe më soditi për një kohë të gjatë.

– Ma jep pak pasqyrën? -përshpëriti pastaj.
– C’e do pasqyrën? – e pyeta unë. – Qetësohu pakëz! Më duket se    e hodhe tani, Pat. S’ke më ethe.
-Jo, -murmuriti ajo me atë zë të thërrmuar e të drobitur, -ma jep    pasqyren!

Unë i rashë qark krevatit, mora pasqyrën dhe e lëshova nga  dora. Ajo u thye.
– Me fal! -i thashe. -Sa ter, që jam! Edhe një copë pasqyrë me vete e më shpëton nga dora e më bëhet copë e cikë!
– Në canten time kam edhe një tjetër, Robi.
Ishte një pasqyrë e vogël prej nikeli të kromuar. E fshiva me pëllëmbën e dorës, që të ndotej pak dhe ia dhashe. Ajo e pastroi me zor dhe u pa në të me vëmendie.

– Ti duhet të nisesh i dashur! -pëshpëriti pastaj.
– Po pse? S’më dashke më?!
– Ti s’duhet të më shohësh më. Kjo këtu s’jam unë.
Ia hoqa pasqyrën nga dora.
– Këto sende metalike nuk vlejnë asnjë grosh, Pat. Pa shiko ,si më nxjerr mua! Të zbehtë e të hequr. Pse, kështu qenkam unë? Unë jam i zeshkët dhe i fuqishëm. Tërë bridhe-bridhe është kjo dreq pasqyre!
– Dua ,që të të mbetem ndryshe në kujtesë, -murmuriti ajo.
Nisu, i dashur! Më ler të mbaroj punë vehtë!

Unë e qetësova. Ajo ma kërkoi përsëri pasqyren bashkë me canten e saj. Pastaj zuri t’i vinte pudër fytyrës së mjerë e të drobitur, buzëve të plasura, gropezave të nxira posht syve.
– Vehtem pak, i dashur, -tha ajo dhe u mundua të vinte buzën në gaz. -Ti s’duhet të më shohësh të shëmtuar…
– Ti mund të bësh c’të duash, -i thashë, -por kurrë s’do të jesh e shëmtuar! Për mua je gruaja më e bukur, që kam parë gjatë gjithë jetës sime!

Ia mora pasqyrën dhe kutinë e pudrës dhe ia vura duart me kujdes rreth kokes. Pas pak ajo filloi te shqetësohej.
– Cfare ke Pat ? -e pyeta.
– Troket aq fort, -pëshpëriti ajo.
– Kush? Ora?
Ajo tundi kokën paksa në shenjë pohimi:
– Bubullon…
Unë e hoqa orën nga dora.
Ajo vështroi gjithë ankth akrepin e sekondave.
– Hiqma nga syte!…
Unë e mora orën dhe e përlasa fort pas murit.
– Ja, tani nuk troket më! Tani koha është ndalur në vend. E kemi shqyer në mes. Vetëm ne të dy kemi mbetur këtu,vetëm ne të dy, ti dhe unë dhe askush tjeter.
Ajo m’i hoqi sytë që i qenë zmadhuar tejmase.
– I dashur … -pëshpëriti me zë të shuar.
Unë s’munda ta duroja më atë shikim. Vinte që nga larg, kalonte përmes meje dhe tretej diku.
– Trimëresha ime, -murmurita unë, -Trimëresha ime e shtrenjtë, e dashur…

Ajo vdiq në orën e fundit, të natës, përpara se të agonte. Hoqi shumë dhe vdiq me mundime të mëdha dhe askush s’mundi ta ndihmonte. E mbante dorën time të shtrënguar, por nuk e dinte më që i ndodhesha pranë. Dikur foli dikush:
-Vdiq…
-JO! -bërtita unë. -Ajo s’ka vdekur ende! Ende po ma mban dorën të shtrënguar…
Dritë. Dritë verbuese, e padurueshme. Njerëz. Mjeku. Unë hapa ngadalë dorën time. Dora e Patit u lëshua përtokë. Tipare të shfytyruara nga ankthi. Sy të ngrirë e të munduar. Flokë gështenje e të mëndafshtë.
-Pat, -thashë unë. -Pat!
Dhe, për herë të parë, ajo nuk më dha përgjigje…

– Dua te rri vetëm, -thashë unë.
– Të mos e…? -pyeti dikush.
-Jo, -thashë unë. -Dilni përjashta! Mos e prekni!

Ia lava pastaj gjakun. Isha si copë dru. Ia kreha floket. Ajo filloi të ftohej. E shtriva në krevatin tim dhe e mbulova me batanijet. U ula pranë saj dhe s’isha i zoti të mendoja më asgjë. Rrija në karrige dhe e vështroja krejt i shastisur. Qeni u fut në dhome dhe m’u shtri në prehër…
E pashë se si i ndërroi fytyra. S’munda të bëja asgjë tjetër, vecse të rrija ashtu i ngurosur, ashtu krejt bosh, dhe ta sodisja…
Pastaj erdhi mengjesi! -dhe ajo nuk ishte më…

Share: