Me nisjen e seancës së Kuvendit ka nisur edhe protesta e gjashtë opozitës. Protesta u zhvillua jashtë godinës së Parlamentit për tre orë e 30 minuta, ndërsa më pas protestuesit u zhvendosën drejt ambienteve të Policisë së Tiranës për tu solidarizuar me protestuesit e shoqëruar nga policia.
Gjatë protestës te Parlamenti u dëgjuan thirrje kundër qeverisë. Protestuesit tentuan të çajnë tre herë kordonin e policisë dhe ia dolën në tentativën e katërt. Megjithatë policia arriti ta neutralizonte shpejt situatën.
Bëhet me dije se janë protestuesit e Unazës së Re ata që u konfrontuan fillimisht me policinë. Që në nisje u hodhën shashka, tymuese dhe bidona uji në drejtim të policisë. U raportua për dy policë të lënduar nga shashkat.
Pak pas zhvendosjes pranë ambienteve të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, protestuesit kërkojnë jo vëtëm lirim të protestuesve të tjerë, por kanë agravuar situatën duke qëlluar me shishe xhamat e Drejtorisë së Policisë.