Nesër dhe pasnesër, përkatësisht në datat 4-5 shtator, ora 9.00, në mjediset e Hotel “Mondial”, nis punimet Kuvendi i Dytë i Studimeve Arbëreshe me temë: “Mbijetesa e Arbërishtes në shekullin XXI – Forum mes aktorëve kryesorë – Forum mes aktorëve kryesorë”, organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).
Dhjetëvjeçarët e fundit, studiuesit kanë konstatuar një përshpejtim të jashtëzakonshëm të humbjes së gjuhëve të pakicave gjuhësore historike dhe parashikohet që brenda vitit 2100, të shuhen deri në 80% e këtyre gjuhëve. Edhe UNESCO ka dëshmuar vëmendjen e saj të veçantë, madje në Atlasin e gjuhëve në proces zhdukjeje, arbërishtja përcaktohet si “gjuhë përfundimisht në rrezik”.
Ndaj kësaj situate botërore ku, fatkeqësisht, përfshihet edhe arbërishtja, një numër gjithnjë e më i madh institucionesh kërkimoro-shkencore gjuhësore, po reagojnë me krijimin e rrjeteve ndërkombëtare, si dhe të veprimtarive të përbashkëta.
Në këtë kuadër vjen edhe Kuvendi i nesërm, i cili do të mbledhë në Tiranë emrat më të rëndësishëm në nivel ndërkombëtar të fushës së studimit dhe të hartimit të strategjive politikbërëse për rijetëzimin e gjuhëve minoritare; përfaqësuesit e institucioneve evropiane mbi politikat gjuhësore dhe të qendrave më të mëdha të kërkimit shkencor në Evropë (si ELAR, FEL, Mercator, CNR, Humboldt-Universität zu Berlin etj.), si dhe përfaqësuesit e komunitetit arbëresh, të cilët pritet të sjellin ekspertizën e tyre dhe disa strategji bashkëkohore që kontribuojnë në ruajtjen e gjuhëve në rrezik, siç është rasti i arbërishtes.
Në vijim gjeni programin e plotë të veprimtarisë.