Sot shënohet 82-vjetori i lindjes së gjuhëtarit prof. Emil LAFE. Ai lindi në Vithkuq të Korçës me 27 qershor të vitit 1938. Ndoqi gjimnazin në Durrës dhe Vlorë. Kreu studimet e larta dhe u diplomua në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1959). Filloi punën në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë, ku ka qenë përgjegjës i sektorit të kulturës së gjuhës dhe të terminologjisë (1972–1993), përgjegjës i departamentit të gramatikës dhe kulturës së gjuhës (1988–2005). Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Ka kryer një specializim në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Bonit si bursist i Fondacionit “Alexander von Humboldt”.
Në vitet 1999–2008, drejtor i Qendrës së Enciklopedisë Shqiptare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Është bashkautor në disa vepra themelore për gjuhën shqipe, si “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Gramatika e gjuhës shqipe, vëll. I Morfologjia” (1976, 1995, 2002), “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe (1980), “Fjalor i emrave gjeografikë të Republikës së Shqipërisë” (2002), si dhe në “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” (1976), “Për pastërtinë e gjuhës. Fjalor” (1998).
Ka botuar studime e artikuj në fushën e dialektologjisë, të gramatikës historike e të sotme, të fjalëformimit, të historisë së shqipes së shkruar etj. Në mënyrë të veçantë u është kushtuar çështjeve të shqipes standarde e të kulturës së gjuhës; prej vitit 1993 është kryeredaktor i revistës “Gjuha jonë”. Ka qenë anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë Çmimin Republikës të shkallës së parë. Redaktori.net./Marrë me përshtatje nga Fjalori Enciklopedik Shqiptar.