Leonard de Martinos (1830-1923), françeskan, poet e shkrimtar arbëresh nga fshati Greçi i Kampanjës, në krahinën e Avelinos, misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri.
Kujtojmë se vepra e tij më e njohur është përmbledhja lirike ‘L’Arpa di un italo-albanese, (Harpa e një arbëreshi), Venedik 1888. Ndërsa kryevepra, nxënësi i tij katundar, Zekë Ndoci, të cilin duart e tij të mësuara e shndërruan në Atë Gjergj Fishtë, në Poetin i cili do ta ngrinte traditën e poezisë së Shqipërisë veriore, në majat më të larta. Martino i mbylli sytë në moshën nëntëdhjetetre vjeç në kuvendin e Sarnos, në Itali, më 12 korrik 1923, duke i lënë trashëgim kulturës shqiptare disa vepra, të përkthyera e origjinale, shkruar në dialektin gegë.
Ndërmjet tyre kujtojmë: ‘Vaji i hapses’, variant shqip i ‘Il lamento della prigionera’ të poetit dhe romancierit milanez, Tomaso Grosi (Tommasso Grossi, 1790-1853), të cilën ia kushtoi Dora d’Istrias më 1868; ‘Munnimi i Jezu Krishtit’ (1875), përkthim i veprës ‘Passione di Gesù Cristo’ të Pietro Metastasios (1698-1782) e, sidomos Harpën, veprën origjinale lirike, që e kujtuam më lart.
Por çka na intereson më shumë sot nga krijimtaria e Fratit arbëresh, është një vepër pak e aspak e njohur, shkruar italisht, e papërkthyer shqip titulluar: “Luani i Shqipërisë”. Shkurtore e jetës dhe veprave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Princ i Epirit dhe i Shqipërisë, Greci, 1882”1
Emri i tij lidhet ngushtë edhe me shpalljen e Zojës së Këshillit të Mirë ‘Pajtore e Shqiptarëve’. Pamfleti poetik, që qarkulloi me këtë rast të jashtëzakonshëm festiv, kushtuar Zojës së Bekuar, është një ndër krijimet e tij më të frymëzuara.
Kjo trashëgimia e Fratit arbëresh. Po ne sot duam ta kujtojmë për një dhuratë tjetër, që i bëri fshatit të vet. Duke shfletuar letërshkëmbimin e Piccolo-s, në një letër datuar 30 gusht 1882 , lexojmë:
“Në mbledhjen e organizuar enkas, në vitin 1882, më 25 gusht, në sallën e Mbledhjeve të Bashkisë, në Greci, u paraqit i Nderuari Atë Leonardo de Martino, Frat i vogël observant, misionar apostolik në Shqipëri (i shoqëruar solemnisht nga krerët e vendit, nga banda muzikore e Orsarës e nga një mori populli në festë), i cili i dorëzoi, me dorën e kryebashkiakut e të anëtarëve të bashkisë, kësaj komuneje, një pikturë, realizuar me bojë vaji, të Gjergj Kastriotit Skanderbeg, Princ i Shqipërisë e i shqiptarëve. Kuadri është kopje e origjinalit, që ndodhet në Galerinë Mbretërore Uffizi të Firences, realizuar nga një mjeshtër i penelit, i cili ia dhuroi de Martinos. Një njeri i ngarkuar me një mori virtytesh, dorëzonte figurën e lartë të një të madhi tjetër, më të madhit ndër shqiptarë, njeriut që përmblidhte në vetvete të gjitha virtytet, gjithë lavdinë, gjithë heroizmin e gjithë patriotizmin e popullit shqiptar, tipare karakteristike të shqiptarit, për të cilat banorët vendas, me origjinë nga trojet e Kastriotit, krenohen më shumë se për çdo gjë tjetër”.
U vendos, prandaj, që Portreti i Kryetrimit, gjithnjë i gjallë në kujtesën e arbëreshëve të Greçit, të vendosej në Sallën e Mbledhjeve, të ruhej me kujdesin më të madh e të trashëgohej brez pas brezi, deri në sosun të moteve.
Mbledhja përfundoi duke e falënderuar njëzëshëm atë De Martinon, për gjithçka bënte në Atdheun e të parëve e edhe për këtë gjest të lartë patriotik, që nuk duhej të mbetej pa jehonë në Itali, në Shqipëri e kudo rreh ndonjë zemër shqiptare!
Ngjarje e shkuar, por besojmë, e paharruar, që na nxit t’i bëjmë vetes pyetjen: “Sa na rreh zemra jonë shqiptare, kur një njeri, një ngjarje, një varg a një pikturë, na kujton se edhe ne i përkasim një populli, prej nga dolën dy Gjergjat! E edhe De Martino, që po e kujtojmë, si të ishte i gjallë, sepse e gjallë është vepra e tij!
1 “Leone dell’Albania”, Breve Compendio della vita e delle gesta di Giorgio Catstriota Skanderbeg”.