Kanë vijuar edhe ditën e djeshme debatet publike për zgjedhjen e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat, Rudina Hajdari, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në “Facebook” kërkoi shkarkimin e Gjinushit nga posti që sapo ka marrë. Sipas saj, institucioni i Akademisë së Shkencave është mbushur me spiunë të ish-regjimit komunist. “Kryetari uzurpues i Akademisë së Shkencave i nisi minutat e para të karrierës së tij me dhunimin verbal seksist të një gazetareje të re.
Mbledh nëntëdhjetëvjeçarë që dramën e jetës së tyre kanë pasur faktin që i kanë bërë hosana vrasësit të babait të tyre, një pjesë me ishemira, një pjesë të korruptuar me pagesa të paligjshme, me mbështetje nga akademikë ish-spiunë të sigurimit, sekretarucë diktatorësh, të dyshuar nga kolegët për plagjiatura, të tjerë që nuk dihet ku punojnë nëpër botë”, theksoi Hajdari. Në vijim të qëndrimit të saj, Rudina Hajdari theksoi se do t’i paraqesë Kuvendit kërkesën për ndërprerjen e fondeve për këtë institucion. “Bëri reformën farse për të sunduar mbi një institucion, ku veç truri nuk ka më efikasitet, pa marrë në konsideratë që në perëndim gjenden me dhjetëra shkencëtarë të rinj shqiptarë të vlerësuar maksimalisht nga shkenca botërore moderne.
Padyshim që Kuvendit do t’i paraqesë që t’i presë sa më parë buxhetet kësaj karakatine, mbi samarin e së cilës ka hipur “gjenerali” në pension. Përndryshe, do të ndodhë ajo që nuk ka ndodhur në qindra vjet Akademi, ku politikani i paudhë do të drejtojë shkencën dhe të paligjshmit dhe të paditurit, do të drejtojnë institucionin”, thekson Hajdari. Krahas kryetares së Grupit Parlamentar “Demokrat”, edhe pedagogia Dhurata Shehri, publikoi dje CV e Gjinushit, ku theksoi se ka që në vitin 1991 që nuk ka bërë asnjë libër shkencor. Kjo krijon edhe paradoksin në vetvete ku kryetari i Akademisë së Shkencave ka 28 vite pa publikuar asnjë botim shkencor.